Politika e privatësisë
PlutonAi është shërbimi i ThePluton Studio L.L.C. me të cilin bizneset u përgjigjen klientëve të tyre në WhatsApp, Facebook (Messenger) dhe Instagram, me një asistent virtual dhe me stafin e tyre. Kjo politikë tregon cilat të dhëna përpunojmë, pse, kush i merr, sa kohë i ruajmë dhe si i fshini.
Kush jemi
PlutonAi ofrohet nga ThePluton Studio L.L.C., NUI 812461052, Tirana 2, Prishtinë 10000, Kosovë. Email: hello@pluton.studio · Telefon: +383 49 200 124.
Dy role
- Për bizneset që përdorin PlutonAi (administratorët dhe stafi i tyre) ne jemi kontrollues i të dhënave të llogarive të tyre.
- Për klientët e këtyre bizneseve, që u shkruajnë në WhatsApp, Facebook (Messenger) ose Instagram, kontrollues është biznesi të cilit i shkruani. Ne i përpunojmë këto të dhëna në emër të tij, si përpunues, vetëm sipas udhëzimeve të tij dhe vetëm për të.
Nëse i keni shkruar një biznesi, pyetjet për të dhënat tuaja mund t'ia drejtoni atij biznesi ose neve; ne e ndihmojmë biznesin t'ju përgjigjet.
Të dhënat e klientëve të bizneseve
Kur i shkruani një biznesi që përdor PlutonAi, përpunojmë:
- mesazhet tuaja dhe përgjigjet, bashkë me fotot, videot, mesazhet zanore dhe skedarët që dërgoni;
- emrin, emrin e përdoruesit dhe ID-në që na jep Meta, dhe në WhatsApp edhe numrin e telefonit;
- foton e profilit në Facebook ose Instagram: i shfaqet vetëm stafit të biznesit dhe nuk ruhet;
- të dhënat e porosisë kur porositni: emrin, telefonin, adresën, qytetin dhe shënimet;
- të dhëna teknike për dorëzimin e mesazheve: koha dhe statusi i dërgimit e i leximit.
Nuk kërkojmë kurrë numra kartelash, fjalëkalime ose kode. Mos i dërgoni në bisedë.
Të dhënat e bizneseve
- llogaritë e panelit: emri, email-i, roli dhe gjuha; fjalëkalimet ruhen vetëm të koduara (hash), kurrë si tekst;
- regjistrat e hyrjeve dhe të ndryshimeve: koha, adresa IP dhe çfarë u ndryshua, për sigurinë e llogarive;
- lidhja me Meta përmes Facebook Login for Business: ID-ja e personit që e bëri lidhjen (një ID që Facebook ia jep vetëm PlutonAi-t), emrat dhe ID-të e faqes në Facebook, të llogarisë në Instagram dhe të numrit në WhatsApp, si dhe çelësat e qasjes së biznesit, të ruajtur të enkriptuar;
- katalogu, informatat dhe cilësimet që biznesi i shkruan për asistentin;
- përdorimi (sa mesazhe dhe sa përgjigje të asistentit), për planin dhe faturimin.
Paneli përdor vetëm një cookie të domosdoshme për hyrjen. Nuk ka cookie reklamuese ose analitike, as në këto faqe.
Pse i përdorim
- që asistenti virtual t'u përgjigjet klientëve në emër të biznesit: produktet, çmimet, numrat, stoku dhe dërgesa;
- që të merren porositë dhe t'i kalojnë biznesit;
- që stafi i biznesit t'i shohë bisedat dhe t'i marrë në dorë kur duhet;
- që bizneset të hyjnë në panel, t'i lidhin kanalet e tyre dhe ta mbajnë shërbimin të sigurt;
- për mbështetje teknike dhe faturim.
Pa reklama, pa shitje. Nuk i përdorim të dhënat për reklama ose profilizim, nuk ia shesim askujt dhe nuk i përdorim bisedat për të trajnuar modele të inteligjencës artificiale.
Asistenti virtual
Përgjigjet e para i shkruan një asistent me inteligjencë artificiale, me modele të OpenAI, vetëm nga katalogu dhe informatat e biznesit. Asistenti mund të gabojë: stafi i biznesit i sheh bisedat dhe mund ta marrë bisedën në çdo kohë, dhe ju mund të kërkoni të flisni me një person në çdo kohë.
Kush i merr të dhënat
- Meta Platforms (WhatsApp, Facebook, Instagram), që i dërgon mesazhet ndërmjet jush dhe biznesit, sipas kushteve dhe politikës së vet të privatësisë.
- OpenAI (SHBA): pjesë të bisedës, edhe fotot kur asistenti duhet t'i shohë, i dërgohen përmes API-së që asistenti ta shkruajë përgjigjen. OpenAI nuk i përdor për të trajnuar modelet e veta dhe mund t'i mbajë deri në 30 ditë për të parandaluar abuzimet, pastaj i fshin.
- Serverët ku ruhen të dhënat, në Bashkimin Evropian.
- Biznesi të cilit i shkruani, dhe stafi i tij.
Askush tjetër nuk i merr të dhënat, përveç kur e kërkon ligji. OpenAI është në SHBA, prandaj pjesët e bisedës që u dërgohen dalin jashtë Kosovës dhe BE-së, sipas kushteve të tyre për përpunimin e të dhënave.
Sa kohë i ruajmë
- Bisedat (mesazhet, fotot dhe skedarët) dhe të dhënat e profilit të klientit fshihen automatikisht 12 muaj pas mesazhit të fundit.
- Kur e anuloni dërgimin e një mesazhi në Instagram, ai fshihet automatikisht edhe nga PlutonAi.
- Kopjet e plota të njoftimeve që na dërgon Meta mbahen 14 ditë për zgjidhjen e problemeve teknike, pastaj fshihen.
- Regjistrat e gabimeve mbahen 3 muaj; regjistri i ndryshimeve në panel (kush çfarë ndryshoi) 12 muaj. Regjistrat teknikë të serverit fshihen brenda 14 ditëve.
- Kopjet rezervë fshihen brenda 12 ditëve.
- Porositë ruhen derisa biznesi t'i fshijë ose ta mbyllë llogarinë, sepse i duhen për dërgesën, ndërrimet dhe kontabilitetin.
- Kur një biznes ndalon së përdoruri PlutonAi, të dhënat e tij (bisedat, porositë, katalogu dhe llogaritë) fshihen brenda 30 ditëve; biznesi mund të kërkojë më parë një kopje.
- Kopjet në aplikacionet e Meta-s (kutitë e mesazheve të biznesit në WhatsApp, Facebook ose Instagram) i menaxhon vetë biznesi; kopjen në telefonin tuaj e menaxhoni ju.
Të drejtat tuaja
Sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale keni të drejtë:
- të kërkoni qasje në të dhënat tuaja dhe një kopje të tyre;
- t'i korrigjoni;
- t'i fshini;
- ta kufizoni ose ta kundërshtoni përpunimin;
- të parashtroni ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Klientët e bizneseve: shkruani «fshini të dhënat e mia» në të njëjtën bisedë, ose i shkruani biznesit ose neve te hello@pluton.studio. Bizneset dhe stafi i tyre: na shkruani te hello@pluton.studio. Përgjigjemi brenda 30 ditëve. Hap pas hapi: fshirja e të dhënave.
Siguria
Lidhjet janë vetëm të enkriptuara (HTTPS). Çelësat e qasjes së bizneseve ruhen të enkriptuar (AES-256-GCM), fjalëkalimet vetëm si hash, dhe secili biznes sheh vetëm të dhënat e veta. Qasja në panel ndahet sipas roleve dhe ndryshimet e rëndësishme regjistrohen. Serverët janë në Bashkimin Evropian, me firewall dhe përditësime automatike të sigurisë; kopjet rezervë bëhen çdo natë.
Nëse gjeni një problem sigurie, na shkruani te hello@pluton.studio.
Ndryshimet
Kur e ndryshojmë këtë politikë, e publikojmë këtu dhe e ndërrojmë datën më lart. Për ndryshime të rëndësishme i njoftojmë bizneset me email.